TIRANË, 16 maj /ATSH/ Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore protestoi sot pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në të njëjtën ditë kur edhe po zhvillohet samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
Mbështetës të Partisë Demokratike u grumbulluan në bulevardin “Zogu i Parë”, në kryqëzimin tek Ministria e Drejtësisë, pak metra larg sheshit “Skënderbej”, ku edhe po mbahet samiti i liderëve evropianë.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha aktualisht nuk ndodhet në protestë, për shkak të një vizite në Bruksel, por më herët nga selia blu ai ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka tha për mediet se “krimi i organizuar ka ndikuar në tjetërsimin e rezultatit”.
“Misioni i PD nuk është pushteti, por shenjtërimi i votës në Shqipëri. Dilni takoni sot qytetarët, në 10 qytetarë, 7 thonë se kanë votuar PD-në”, tha Noka.
Drejtuesja Politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli në një prononcim për mediet tha se “është manipuluar vullneti i shqiptarëve”.
“Kam mbuluar diasporën, gjej një proces që është i cenuar në gjithë integritetin e tij. Berati ishte 90% për PS-në. Kjo nuk është normale. Pres që Greqia të dalë edhe 190% për PS-në! Unë jam përqendruar tek diaspora. Ka ndodhur që zgjedhësi nuk ka votuar vetë, por janë të tjerë që kanë votuar për të”, tha Topalli.
(vijon…)
/a.f/r.e/
