Në prag të armëpushimit të pritur në konfliktin në Gazë, përfaqësues të Izraelit dhe Hamasit pritet të takohen sot në Egjipt për të diskutuar mbi planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.
Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi se fokusi fillestar i bisedimeve, që do të zhvillohen përmes ndërmjetësuesve, do të jetë arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në Gazë, në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, theksoi se Izraeli dhe ShBA-ja janë të vendosura që bisedimet indirekte me Hamasin të zgjasin vetëm disa ditë. Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë ndërmjetësues në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Të premten, Hamasi njoftoi se pranon pjesërisht planin e Trampit, pas çka presidenti amerikan i bëri thirrje Izraelit të ndërpresë menjëherë bombardimet në Rripin e Gazës.
Megjithatë, disa çështje kyçe të planit gjithëpërfshirës të paqes mbeten të pazgjidhura – mes tyre çarmatimi i Hamasit, që grupi e refuzon, si dhe tërheqja e trupave izraelite nga Gaza.