Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mosfunksionimi i Kuvendit përbën një humbje kohe dhe dëm për vendin, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se institucionet duhet të rifillojnë punën sa më parë.
Kurti,në një deklaratë për media, ka nënvizuar se procesi për zgjedhjen e kryetarit dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit tashmë është përmbyllur, por ka mbetur i pazgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
“Konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhur kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin, askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdojë puna e Kuvendit, sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur.”, ka thënë Kurti pas inaugurimit të një çerdheje në Shtime.